6 vjet në paraburgim, gjykimi i ish-krerëve të UÇK në kilometrin e fundit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-tës.

The post 6 vjet në paraburgim, gjykimi i ish-krerëve të UÇK në kilometrin e fundit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: