Lumi Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare për Kosovën.
Gjatë takimit, i cili u bë me ftesë të presidentes, Abdixhiku u informua mbi iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, si dhe rritjen e rolit ndërkombëtar të Kosovës.
Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e LDK-së për këtë iniciativë dhe theksoi përkushtimin e partisë ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit me aleatët strategjikë.
“Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, sot gjatë ditës u takova me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë.
LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë”, shkruan Abdixhiku.
The post Abdixhiku takohet me Presidenten Osmani: LDK mbështet iniciativën e Bordit të Paqes appeared first on Euronews Albania.
