Kosovë: Gjykata Supreme refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gjykata Supreme ka vendosur për gjashtë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Të gjitha ankesat janë refuzuar si të pabazuara.

Sipas aktgjykimeve të publikuara, Gjykata Supreme ka vlerësuar se asnjë nga palët ankuese nuk ka arritur të provojë shkelje serioze apo parregullsi që do të ndikonin në integritetin e procesit zgjedhor apo në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Supreme:

Me aktgjykimin AA.nr.6/2026, Gjykata ka refuzuar ankesën e Partisë Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), e cila kishte kontestuar rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve, duke pretenduar parregullsi në numërimin e votave. Gjykata ka vlerësuar se qëndrimi juridik i PZAP-së është i drejtë dhe se përfaqësimi politik i komunitetit rom është siguruar edhe përmes votave të komuniteteve të tjera, pa shkelje ligjore.

Ankesa e Koalicionit PAI–PDAK–LPB është refuzuar me aktgjykimin AA.nr.7/2026. Koalicioni kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave, por Gjykata ka konstatuar se pretendimet nuk janë mbështetur me prova konkrete që do të dëshmonin shkelje apo manipulime.

Me aktgjykimin A.A.nr.8/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Emilija Rexhepit nga Nova Demokratska Stranka (NDS), e cila kishte kërkuar anulimin e 85 votave në një vendvotim në Prizren. Gjykata ka vlerësuar se anulimi i votave pa prova të qarta do të cenonte sigurinë juridike dhe besimin në procesin zgjedhor, duke theksuar se vetëm shkeljet e provuara drejtpërdrejt mund të justifikojnë ndërhyrje në rezultat

Po ashtu, me aktgjykimin A.A.nr.9/2026, është refuzuar ankesa e subjektit politik Nova Demokratska Stranka lidhur me mandatin e rezervuar për komunitetin boshnjak. Gjykata ka vlerësuar se vlefshmëria e votës nuk kushtëzohet nga përkatësia etnike e votuesit, por nga ushtrimi i rregullt i së drejtës së votës, në përputhje me ligjin.

Gjykata Supreme ka refuzuar edhe ankesën e kandidatit për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu, lidhur me ndarjen e mandateve në bazë të kuotës gjinore, me aktgjykimin AA.nr.10/2026. Gjykata ka vlerësuar se KQZ-ja ka zbatuar drejt dispozitat ligjore, duke siguruar përfaqësimin minimal prej 30 për qind për secilën gjini, ndërsa në rastin konkret kjo kuotë është përmbushur.

Me aktgjykimin A.A.nr.11/2026, është refuzuar edhe ankesa tjetër e Bekim Haxhiut, e cila kishte të bënte me përfshirjen e votave me postë të pranuara pas afatit ligjor. Gjykata ka theksuar se këto vota janë pranuar mbi bazën e një vendimi të vlefshëm të KQZ-së, i cili nuk është kontestuar në kohë dhe ka prodhuar efekte të plota juridike

The post Kosovë: Gjykata Supreme refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: