Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë mblidhet të hënën në orën 18:00 për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, konfirmoi zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Rezultatet do të certifikohen pasi përfunduan të gjitha afatet për ankesa nga partitë dhe kandidatët lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja ditë më parë.
Palët e pakënaqura patën mundësi që t’iu drejtoheshin Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas Gjykatës Supreme.
Procesi i certifikimit vjen pas rinumërimit të plotë të votave të rregullta, për të cilin u mor vendim pasi u gjetën mospërputhje në votat e kandidatëve për deputetë.
Dhjetëra persona ndodhen në paraburgim, ndërsa qindra të tjerë janë pyetur nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë.
Nga Prokuroria e Shtetit kanë paralajmëruar se objekt i hetimeve mund të jenë edhe vetë kandidatët për deputetë.
The post KQZ certifikon sot rezultatin zgjedhor në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
