Vllaznia hodhi një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, duke triumfuar 0-1 ndaj Bylisit në ndeshjen e parë çerekfinale të luajtur në Ballsh. Skuadra shkodrane e vendosi sfidën në pjesën e parë, falë një 11-metërshi të realizuar saktë nga Bismarck, në një ndeshje me ritëm të ulët dhe kujdes të shtuar nga të dy ekipet, të cilët aplikuan rotacion në formacion.
Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Vllazninë mes kampionatit dhe kupës, me shtatë prej tyre të fituara me rezultatin minimal 1-0, duke konfirmuar momentin pozitiv të kuqebluve.
Në çerekfinalen tjetër, Egnatia arriti të përmbysë Teutën në “Niko Dovana”. Durrsakët kaluan në avantazh në minutën e 11-të me Arifin, por kampionët në fuqi barazuan para pushimit me Adjesan. Në pjesën e dytë, rrogozhinasit treguan qetësi dhe shënuan golin e fitores në minutat e fundit me Kryzin, duke marrë një sukses të rëndësishëm përpara ndeshjes së kthimit.
Takimet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 4 mars.
The post Vllaznia fiton në Ballsh, Egnatia përmbys Teutën në Kupë appeared first on Euronews Albania.
