Tragjedia në Porcari, trupat e familjes Kola mbërrijnë në Shqipëri

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Mëngjesin e kësaj të enjte, mbërritën në Shqipëri trupat e pajetë të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht më 4 shkurt në Porcari të Italisë. Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida dhe dy fëmijët, Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeçe, do të përcillen mesditën e sotme për në banesën e fundit në fshatin Gryksh i Madh të Peqinit, vendlindjen e tyre.

Sipas hetimeve paraprake italiane, shkak i tragjedisë dyshohet të ketë qenë helmimi nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e vendosur së fundmi në banesë. Trupat iu nënshtruan analizave toksikologjike nga autoritetet italiane përpara se të lejohej transporti drejt Shqipërisë.

Për të mbuluar shpenzimet e kthimit të familjes, vëllai i viktimës, Durim Kola, hapi një fushatë në platformën GoFundMe, e cila brenda pak ditësh siguroi mbi 75 mijë euro nga dhurues të shumtë.

Banesa ku ndodhi ngjarja ishte pronë e Arti Kolës, i cili e kishte blerë rreth tre vite më parë dhe e kishte rikonstruktuar pjesërisht vetë. Arti ishte piktor me profesion, ndërsa djali i tij i madh punonte si elektricist.

Tragjedia ndodhi në mbrëmje, kur vëllai i kryefamiljarit dhe karabinierët, pasi nuk morën përgjigje nga brenda, thyen derën e shtëpisë dhe gjetën katër trupat e shtrirë në tokë. Xhaxhai i fëmijëve, i cili gjithashtu u ndalua nga monoksidi i karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve dhe u transportua në spitalin e Cisanello-s.

The post Tragjedia në Porcari, trupat e familjes Kola mbërrijnë në Shqipëri appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: