Gjirokastra pret kampionatin e parë rajonal të futsallës për vajza

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Për herë të parë në Gjirokastër po zhvillohet Kampionati Rajonal i Futsallës për Femra, ku rreth 100 vajza nga shkollat e rajonit po garojnë në Pallatin e Sportit të qytetit.

Në këtë aktivitet marrin pjesë 8 ekipe nga shkollat e rajonit të Gjirokastrës, të cilat përballen përgjatë fundjavave në një garë që synon promovimin e futbollit të vajzave dhe nxitjen e të rinjve drejt sportit. Organizatorët theksojnë se iniciativa të tilla i shërbejnë jo vetëm evidentimit të talenteve të reja, por edhe forcimit të lëvizjes sportive në zonë.

Presidenti i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Grigor Çabeli, u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm për ngritjen e ekipeve të vajzave dhe për të synuar më pas nivele më të larta përfaqësimi.

“Në kuadër të forcimit të futbollit për vajza, për të ngritur miniekipet e vajzave dhe duke ecur pastaj të shkojmë deri në nivelet më të larta, por ky është gjithnjë një fillim”, tha ai.

Ndërsa specialisti i sporteve, Petraq Meçi, e cilësoi kampionatin si një nismë të parë për rajonin, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit të femrave dhe përfshirjen e vajzave në aktivitete sportive.

“Në rajonin tonë është për herë të parë. Janë iniciativa të para. Është ngritur kombëtarja e vajzave dhe mendojmë që nëpërmjet këtyre aktiviteteve të evidentojmë sportistet e reja, por mbi të gjitha e rëndësishme është zhvillimi i futbollit të vajzave dhe marrja me sport, që është prioritare”, u shpreh ai.

Edhe vetë sportistet pjesëmarrëse shprehen entuziaste për këtë eksperiencë, duke e konsideruar sportin si një mundësi për një fizik dhe mendje të shëndetshme.

“Të merresh me sport është shumë e rëndësishme, sidomos me futbollin. Është një lojë shumë e bukur dhe aq më tepër kur luhet edhe nga femrat. Ndoshta ne si vajza nuk e luajmë siç duhet tani, por mund ta bëjmë edhe më mirë në të ardhmen”, tha një prej pjesëmarrëseve.

Një tjetër vajzë u shpreh se futbolli e largon nga telefoni dhe e ndihmon të kalojë kohën në mënyrë më aktive, duke theksuar se e ka dashur këtë sport që e vogël.

Falë interesimit në rritje të të rinjve për sportin në Gjirokastër, është rikthyer edhe tradita e organizimeve në disiplina të tjera si basketbolli dhe volejbolli, duke e kthyer qytetin në një qendër aktive të jetës sportive rajonale.

The post Gjirokastra pret kampionatin e parë rajonal të futsallës për vajza appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: