19-vjeçarja Lara Colturi e nisi në mënyrë mbresëlënëse garën e slalomit gjigant, duke u renditur e katërta pas zbritjes së parë me kohën 1:03.97, përpara emrave të mëdhenj si Mikaela Shiffrin dhe Camille Rast. Më shpejt se skiatorja kuqezi u treguan vetëm Federica Brignone, Lena Duerr dhe Sofia Goggia, duke rritur pritshmëritë për një vend në podium.
Megjithatë, në zbritjen e dytë Colturi gaboi dhe e mbylli provën me kohën 1:10.85, duke regjistruar në total 2:14.82 dhe u pozicionua në vendin e 16-të.
Në të njëjtën garë, Semire Dauti u rendit e 44-ta pas dy zbritjeve, ndërsa skiatorja nga Kosova, Kiana Kryeziu, nuk arriti ta përfundojë zbritjen e parë dhe u skualifikua.
Medalja e artë shkoi për Federica Brignone, e rikthyer në pistë pas rreth 300 ditësh mungesë për shkak dëmtimi. Argjendi u nda mes Sara Hector dhe Thea Louise Stjernesund, të cilat regjistruan kohë identike.
Skiatoret shqiptare do të rikthehen në pistë më 18 shkurt në garën e slalomit, ndërsa më 16 shkurt zhvillohet gara e meshkujve, ku do të garojë Denni Xhepa.
The post “Milano-Cortina 2026”/ Lara Colturi e mbyll e 16-ta slalomin gjigant, Dauti e 44-ta!… appeared first on Euronews Albania.
