Është mbajtur sot në Hagë seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi ishte i pari që iu drejtua Gjykatës. Ai tha se ekziston vetëm një e vërtetë, dhe ajo është se ai është plotësisht i pafajshëm.
“Për gati tri vite në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm.
“Në kohën e masakrave në fillimit të vitit 1998, isha student në Cyrih. Unë nuk po bëja plane si ta marr kontrollin e Kosovës, i vetmi njeri i cili po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviçi.
“Duke i parë masakrat në vendim tim nuk mund të qëndrojë indiferent, vendosa të vij në Kosovë. Ndërsa atë që do të bënte secili prej jush. Për ketë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave. Është ofendim dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, tha Thaçi.
Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli tha para trupit gjykues se “drejtësia mund të vonohet por nuk mund të mohohet”.
Ai theksoi se veprimet e tij kanë qenë të ligjshme, ndërsa nënvizon se populli i Kosovës u privua nga e drejta për të jetuar si qytetarë të barabartë.
“Unë e di kush jam dhe çfarë kam bërë. Gjykata duhet, me çdo kusht, të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe pavarësinë. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. Unë e di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm; këtë përvojë nuk ia uroj askujt.
Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Populli ynë u privua nga e drejta për të jetuar si qytetarë të barabartë.
Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. Unë e di kush jam dhe çfarë kam bërë; veprimet e mia kanë qenë të ligjshme”, tha Veseli.
Jakup Krasniqi i mohoi akuzat e Prokurorisë lidhur me të, duke thënë se i janë veshur role, autoritet dhe përgjegjësi “që nuk i kam pasur kurrë”.
“Kjo është shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e Prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush”, tha Krasniqi.
“Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që m’u atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO-ja dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë përkrah terroristëve”, nënvizoi ai.
Ai nguli këmbë se veprimet e tij dhe ato të UÇK-së, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, i “dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar”.
“Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht”, përfundoi ai.
I fundit që e mori radhën nga katërshja e UÇK në Hagë ishte ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.
Ai tha para trupit gjykues se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi
“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për tu vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? UÇK nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja”, tha ai para trupit gjykues në Hagë.
Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh.
“Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”.
“Jam i bindur se bëmë gjënë më të duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, tha ai mes tjerash në fjalimin e tij.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
The post Thaçi dhe të tjerët këmbëngulin në pafajësi – Çfarë u tha në seancën e fundit të gjyqit ndaj UÇK në Hagë appeared first on Euronews Albania.
