Dialogu me Serbinë, nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kështu bëri të ditur MPJD-ja, pas një takimi të udhëheqësit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.

“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, u tha në njoftim.

Konjufca, i cili njëherësh është zëvendëskryeministri i parë, tha se Kosova mbetet “e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Konjufca do të jetë bartës i këtij procesi, që ka nisur më 2011. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MPJD-së për të kuptuar nëse Konjufca do të jetë në krye të procesit dhe është në pritje të përgjigjes.

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.

The post Dialogu me Serbinë, nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: