I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se në takimet në Kosovë që zhvilloi një ditë më parë u përqendrua në avancimin e procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë.
Emisari evropian zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me ministrin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca.
“Vizitova Kosovën për bisedime të mira me kryeministrin Kurti dhe ministrin e sapoemëruar të Jashtëm, Konjufca. U përqendruam në avancimin e normalizimit të raporteve me Serbinë, zbatimin e zotimeve dhe sigurimin e stabilitetit dhe progresit në rrugën evropiane”, shkroi ai në X më 24 shkurt.
Pas takimit me Sorensenin, Kurti deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të raporteve me Serbinë, përmes njohjes së ndërsjellë.
Ndërkaq, Konjufca e ka njoftuar Sorensenin se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të udhëheqë procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, që ka nisur më 2011.
Megjithatë, MPJD-ja nuk tha saktësisht nëse Konjufca do të jetë në krye të këtij procesi.
The post Sorensen për takimet në Prishtinë: U përqendruam në avancimin e dialogut Kosovë-Serbi appeared first on Euronews Albania.
