Kur të gjithë prisnin një përmbysje nga Interi, ishte Bodo/Glimt që surprizoi duke eliminuar kryesuesit e Serisë A nga kompeticioni më prestigjioz për klube në Evropë. Interi u shfaq i dobët, me gabime të shumta në mbrojtje dhe mungesë force në sulm, ndërsa norvegjezët shfrytëzuan çdo mundësi për të siguruar një kualifikim historik. Pjesa e parë përfundoi pa gola.
Në fraksionin e dytë, Akanji humbi një top në hyrje të zonës italiane, që u shfrytëzua nga Bodo/Glimt për të kaluar në avantazh me Hauge. Në minutën e 72’, Evjen dyfishoi rezultatin, ndërsa Bastoni shënoi golin e nderit për Interin.
Takimi përfundoi 2-1 për norvegjezët, që kishin fituar 3-1 në ndeshjen e parë në Norvegji. Në total, Bodo/Glimt fitoi 5-2 dhe avancon në fazën tjetër të Champions League, ku do të përballet me fituesin e çiftit Sporting – Manchester City.
Në ndeshjet e tjera të plej-ofit, Atletico mposhti 4-1 Club Brugge, Newcastle fitoi 3-2 ndaj Qarabag, ndërsa Leverkusen dhe Olympiacos ndanë pikët pa gola.
The post Interi bie edhe në Milano, Bodo/Glimt bën surprizën e madhe në Champions League appeared first on Euronews Albania.
