Pas transmetimit të lajmit në Euronews për amanetin e pa mbajtur të fotografit korçar Guri Koti, lidhur me rrezikun e humbjes së arkivit të tij fotografik, është ndërmarrë një hap konkret për shpëtimin e kësaj pasurie të çmuar kulturore.
Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini ka firmosur kontratën për marrjen në mbrojtje dhe nisjen e procesit të dixhitalizimit të arkivit të fotografit.
Projekti parashikon ruajtjen dhe skanimin profesional të mijëra fotografive, të cilat dokumentojnë historinë e qytetit të Korçës, jetën e përditshme të banorëve dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të njohura të kohës, mes tyre edhe Trikotazhi i Korçës, një nga simbolët industrialë të qytetit gjatë dekadave të kaluara.
Përveç dixhitalizimit të materialeve, në plan është edhe organizimi i një ekspozite të posaçme me fotografitë më përfaqësuese të arkivit, si dhe botimi i një libri kushtuar jetës dhe veprës së fotografit Guri Koti, i cili përmes objektivit të tij dokumentoi për dekada transformimet sociale dhe urbane të qytetit.
“Pas transmetimit në Euronews Albania, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit zbarkoi menjëherë në Korçë për të shpëtuar arkivin e artistit dhe fotografit Guri Koti. Qëllimi ynë është që arkivi të qëndrojë në Arkivin Shtetëror të Filmit, të dixhitalizohet, të bëjmë një ekspozitë me materialet filmike, në mënyrë që edhe zonja të shohë fotot e stampuara dhe në fund të këtij procesi të kemi një botim kushtuar artistit Guri Koti”, thotë Eljan Tanini, Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
E bija e fotografit, Mimoza Koti, u shpreh e emocionuar për këtë zhvillim, duke theksuar se më në fund po përmbushet amaneti i babait të saj për ruajtjen dhe promovimin e këtij arkivi të çmuar.
“Arkiva ishte amaneti më i madh. E kishte kaq me pasion, tregon gjithë jetën e tij. Jam e lumtur për këtë. E kënaqur. Desha shumë që të dilte në pah, ta vlerësonin. Po bëhet”, thotë Mimoza Koti, e bija e fotografit.
Arkivi fotografik i Guri Kotit konsiderohet një nga koleksionet vizuale më të rëndësishme për historinë e Korçës, pasi përmes fotografive të tij janë dokumentuar dekada të tëra të jetës së qytetit, zhvillimet urbane, aktivitetet kulturore dhe përditshmëria e banorëve.


The post Arkivi i fotografit korçar drejt shpëtimit, nis procesi i dixhitalizimit pas kronikës në Euronews appeared first on Euronews Albania.
