Artistë nga të gjitha trevat shqipfolëse janë bërë bashkë në Korçë në ekspozitën e pranverës me punimet e tyre. Shumica e pjesëmarrësve e vlerësuan këtë aktivitet si një formë ballafaqimi dhe ndarje përvojash artistike.
Për kuratorin Fatos Bylykbashi, një ekspozitë kaq gjithëpërfshirëse rikthehet pas shumë vitesh, duke sjellë piktorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
“Është pranvera e rishfaqur. Prej vitesh nuk mbahej një ekspozitë e kësaj natyre, që nga koha e monizmit, ndaj këtë herë e sollëm ndryshe. Nuk e lamë vetëm me artistë lokalë, por ftuam piktorë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët prezantohen në qytetin e Korçës për të qenë dëshmitarë të punës së njëri-tjetrit”, thotë Fatos Bylykbashi, kurator i ekspozitës.
Abdullah Gjongecaj vjen për herë të parë në një ekspozitë të tillë në Korçë, e cila sipas tij i bën mirë qytetit dhe artistëve, sidomos piktorëve që ballafaqohen me njëri-tjetrin përmes punimeve të tyre.
“Ekspozimet janë një lloj beteje. Kur artisti është në një ekspozitë kolektive, ndodhet përpara përgjegjësisë: ku jam, çfarë të foluri kam, cili është motivi, lajtmotivi dhe stili. Duhet të vish me zërin tënd. Nuk ndihem keq, por artisti nuk kënaqet kurrë plotësisht”, thotë artisti Abdullah Gjongecaj
Edhe për piktorin korçar Spartak Kasuli, ballafaqimi me piktorë nga trevat e tjera shqiptare rrit përgjegjësinë e çdo artisti.
“Është organizuar ekspozita e pranverës, por këtë herë solli risi sepse morën pjesë artistë nga të gjitha trevat shqipfolëse, me vepra me cilësi. Kjo i bën mirë qytetit nga ana kulturore, por edhe ne si artistë përfitojmë. Më parë ky aktivitet ishte më i dendur, pati një shkëputje dhe tani ka filluar sërish”, thotë piktori Spartak Kasuli.




The post Korça mikpret ekspozitën e pranverës me artistë nga të gjitha trevat shqipfolëse appeared first on Euronews Albania.
