82 gozhdët me të cilat deputetët e Partisë Socialiste vulosën në parlament fatin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut janë shndërruar në një lloj ceremonie mortore për reformën në drejtësi. Arkivoli u mbyll në sallën e Kuvendit, ndërsa nga korridoret diplomatike të Tiranës u shpërndanë mesazhe që më shumë ngjajnë me telegrame ngushëllimi për dështimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.
Por votat e socialistëve nuk shërbyen vetëm për të bllokuar një arrestimin e radhës në Partinë Socialiste. Ato ja vlejnë për të kuptuar se sa i rremë ishte miti mbi të cilin u ndërtua e gjithë reforma në drejtësi, ideja se SPAK dhe GJKKO do të ishin mekanizmat që do t’i jepnin fund pandëshkueshmërisë politike duke pasur Edi Ramën mbi krye. Ky mit u shemb në momentin kur sistemi i drejtësisë u tërhoq një hap pas, pikërisht aty ku kryeministri vendosi vijën e kuqe, tek Belinda Balluku.
Socialistët e kishin paralajmëruar praktikisht rrëzimin e SPAK për Belinda Ballukun. Seanca parlamentare zgjati shumë dhe ishte një formalitet. Megjithatë për herë të parë, pas shumë vitesh, votimi në parlament provokoi një krisje të lehtë, më shumë një ciflosje brenda grupit të Partisë Socialiste. Tre emra, Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali dhe Blendi Gonxhe ishin ata që refuzuan të bëhen pjesë e votimit.
Fatmir Xhafaj, një nga promotorët e parë, hartues dhe politikan kyç i reformës në drejtësi, ka mbajë në xhep gozhdën e tij për arkivolin e reformës, si suvenir të projektit ku u investua për më shumë se një dekadë.
Mungesa e Elisa Spiropalit, një produkt bio i Rilindjes është një histori tjetër. Së fundmi ajo mori një goditje nga Rama duke u shkarkuar nga posti i Ministres së Jashtme. Refuzimi për të votuar kundër arrestimit të Ballukut duket se ushqehet nga një xhelozi e brendshme brenda radhëve të pushtetit.
Por ndërsa partinë e ka kthyer në garnizon ushtarak, me ushtarë të bindur që u ndalohet të mendojnë, Rama nuk arriti ta shmangë dot një përplasje me ambasadat.
Reagimi i parë erdhi nga ambasada britanike e cila duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut u shpreh se “imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”. Por që pas BREXIT, britanikët nuk kanë asnjë peshë institucionale në Bashkimin Europian dhe për Ramën nuk ishte e vështirë t’u përgjigjet.
Por më i fortë dhe më i drejtpërdrejtë ishte mesazhi i ambasadë gjermane, vend për të cilin Rama ka pranuar se ka një përplasje interesash, në diskutim të brendshëm në mbledhjen me grupin parlamentar. Gjermanët thanë se kishin pritur që ndjekja penale për Belinda Ballukun të kryhej “shpejt dhe pa pengesa”, por kjo nuk ka ndodhur. Për pasojë ata kujtojnë se procesi i integrimit në Bashkimin Eruropian lidhet direkt me një standard: “Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”.

Në veçanti ky mesazh i dytë mund të ketë prekur nervat e kryeministrit Rama. Si rrallë herë, ai u përfshi në një përplasje publike flakë për flakë me ambasadat. “Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike” ka shkruar Rama duke iu referuar presionit që vjen nga jashtë për të luftuar korrupsionin dhe për të kryer arrestime në masë mes zyrtarëve të lartë.
Ideja që artikulon Rama nuk është e re. Prej kohësh në qarqet politike diskutohet se zelli i SPAK për arrestime mund të jetë i motivuar edhe nga nevoja për statistika me vlerë para burokratëve të Brukselit, një lloj karburanti institucional që ushqen procesin e integrimit europian me shifra arrestimesh dhe burgosjesh të zyrtarëve të lartë.
Por Rama shkon më tej, kur flet për ndërhyrje të jashtme në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, hetimi i Belinda Ballukut duhet të vazhdojë “i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor”. Kjo është hera e parë që Rama përmend “faktorë të jashtëm” në ndikimin e pushtetit gjyqësor, një fenomen që deri më tani është trajtuar me mburrje si garanci dhe meritë e prokurorëve dhe gjykatësve specialë.
Në përfundim të mesazhin të tij, Rama i vë pikën mbi i qëndrimit të tij politik kur thotë se SPAK nuk ka “karta bianka” për të arrestuar politikanët, duke iu kujtuar kancelarive të huaja se parlamenti shqiptar sot, bëri atë “që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”.
Kundërpërgjigjja e Ramës/ Si reaguan ndërkombëtarët për imunitetin e Ballukut
Mesazhi i Ramës konfirmon se për të mbrojtur Belinda Ballukun, kryeministri Rama është gati të hyjë në një kurs përplasjeje edhe me ndërkombëtarët, pavarësisht kostove që mund të ketë.
Por reagimet nga jashtë nuk u ndalën. Menjëherë pas votimit erdhi edhe mesazhi i ambasadës së Holandës, një vend që tradicionalisht ka qenë ndër më skeptikët për procesin e integrimit të Shqipërisë. Në reagimin e saj thuhej se “një kërkesë kyçe për progres në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të garantuar këtë proces.”
Më tej reagoi edhe Komisioni Europian, i cili e ka bërë të qartë se ka mbajtur shënim votimin në parlament kundër SPAK dhe shton se “Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.
Për vite me radhë ambasadat e vendeve perëndimore kanë qenë në një linjë me kryeministrin Edi Rama, bashkë në një fushatë marketingu për të promovuar reformën në drejtësi. Ajo u shit që në fillim si një histori suksesi, si rruga e duhur për luftuar korrupsionin, për rrëzuar mitin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe për ta afruar vendin me Bashkimin Europian. Por tani që Rama i tha “Ndal” hetimit të korrupsionit, ndërsa sulmon çdo ditë prokurorë dhe gjykatës specialë, reagimet e ambasadave nuk tingëllojnë më si mesazhe mbështetjeje. Ato vijnë më tepër si nota zhgënjimi dhe si një lloj pikëllimi diplomatik pas një funerali politik../Lapsi.al
The post Rama rrëzoi SPAK për Ballukun/ Ambasadat në zi për reformën në drejtësi appeared first on Lapsi.al.
