Prokurori i shtetit Arian Gashi është zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës të premten, duke e mposhtur prokurorin Milot Krasniqi.
Gashi u zgjodh me katër vota për nga gjashtë të mundshme në një votim të fshehtë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial.
Ndërsa, Dardan Vuniqi u emërua zëvendës i tij. Gashi e pason Ardian Hajdarajn në këtë post dhe do të jetë kryesues në dy vjetët e ardhshëm deri kur t’i mbarojë mandati pesëvjeçar si anëtar i Këshillit Prokurorial në janar 2028.
Si kryesues, ai do të ketë rol të rëndësishëm për funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë, duke udhëhequr organin që menaxhon dhe duke e mbikëqyr punën e prokurorëve në vend.
Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion kushtetues dhe i pavarur që siguron pavarësinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial në vend.
Gashi ka qenë prokuror në Gjykatën e Apelit që nga viti 2021 dhe ka vepruar kryesisht në fushën e krimeve të rënda, krimeve ekonomike, luftimit të korrupsionit dhe edukimit ligjor të profesionistëve të rinj të drejtësisë.
Ai ka ngritur aktakuza kundër rasteve të korrupsionit, në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
The post Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës appeared first on Euronews Albania.
