Fillimisht e nisi jetën në fushën e blertë si futbollist, por rrjedha e jetës e çoi drejt një tjetër pasioni, muzikës. Bëhet fjalë për Agim Dandallakun, i cili sot kujtohet dhe vlerësohet si një nga zërat e këngës popullore dhe qytetare pogradecare.
Vetë Dandallaku tregon se në rininë e tij merrej me futboll, por një konkurs muzike ndryshoi gjithçka. Edhe pse nuk e kishte menduar si profesion, ai mori pjesë në garë dhe arriti të fitonte çmimin e dytë, një moment që i dha shtysën për të vazhduar rrugën në muzikë.
“Krijuam ekipin Furtuna. Bëhej kampionati, luaja mesfushor. Specialistët e futbollit me thanë se isha talent dhe më ingranuan fillimisht me para të rinjtë. Ndenja 4-5 vite. Ndiqja festivalet, koncertet muzikore. Në qytetin tonë zhvillohej Zërat e Rinj, vjen specialisti i pallatit të kulturës. Ishin momente që edhe këndoja e luaja futboll. Veten e gjeta tek kënga. Me tërhoqi me tepër muzika se futbolli e nisa të këndoj”, tha Agim Dandallaku.
Prej më shumë se 50 vitesh në skenë, Agim Dandallaku ka interpretuar kryesisht këngë popullore dhe qytetare pogradecare, duke ruajtur dhe përcjellë traditën muzikore të zonës së Pogradecit. Përmes zërit dhe interpretimit të tij, këto këngë kanë mbetur të gjalla për publikun ndër vite.
“Këngën e kam filluar në vitet 1973, kur nuk kishte akoma pallat kulture. Aty me vlerësuan me çmim të dytë, me afruan pranë pallatit të kulturës. Gati 50 vite, fillimisht kisha pasion këngën e lehtë, festivalet, kur u ingranova, u krijua ansambli Driloni, fillova këngën popullore, serenaten e Pogradecit”, Agim Dandallaku.
Kur kthen kohën pas, kujton se është vlerësuar nga juria më e mirë, publiku.
“Jam vlerësuar. Me pëlqen më shumë se publiku më ka pëlqyer dhe më ka mbështetur. Vazhdoj ende të kujtoj. Gjer sa të kem zë e forcë”, shtoi Dandallaku.
Sot, pas më shumë se pesë dekadash në skenë, Agim Dandallaku mbetet një nga zërat që ka mbajtur gjallë këngën popullore dhe serenatat e Pogradecit. Edhe pse futbolli ishte ëndrra e parë, ishte muzika ajo që i dha drejtimin jetës së tij.
Dhe siç thotë vetë këngëtari, për sa kohë të ketë zë dhe forcë, ai do të vazhdojë të këndojë për publikun që e ka mbështetur ndër vite.
The post Nga mesfusha në skenë, Agim Dandallaku, futbollisti që zgjodhi muzikën appeared first on Euronews Albania.
