Boksieri i talentuar i Teutës, Graciano Shoshi ka zhvilluar një paraqitje shumë të mirë në turneun ndërkombëtar “ALGA Championship”, zhvilluar në Kirgistan, ku morën pjesë 233 sportistë nga vende të ndryshme.
15-vjeçari i talentuar garoi në peshën 75 kg në kategorinë U17, dhe arriti të fitojë dy ndeshje, duke siguruar vendin e dytë në këtë kompeticion. Ai triumfoi ndaj Syimyk Zhanybekov me nokaut në raundin e parë, ndërsa në përballjen tjetër fitoi me pikë ndaj Alymkulov Janarbek.
Në finale, shorti e vuri përballë një sportisti të së njëjtës skuadër, çka bëri që ndeshja të mos zhvillohej dhe kualifikimi t’i jepej kundërshtarit, sipas rregullores së turneut.
Me këto rezultate, Shoshi përmirëson edhe statistikat personale, duke shkuar në 26 ndeshje në total, me 24 fitore, 6 prej tyre me nokaut dhe vetëm 2 humbje. Graciano Shoshi, është gjithashtu medalist në Kampionatin Europian U15, dy herë kampion i Shqipërisë dhe është shpallur boksieri më i mirë për vitin 2025 në kategorinë U15.
The post Boksieri Graciano Shoshi, shkëlqen në turneun ‘ALGA’ në Kirgistan appeared first on Euronews Albania.
