Serbinë e ka përfaqësuar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, i cili e ka nisur fjalën e tij, duke thënë se Serbia “nuk është pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes”.
Më vonë, Gjuriç ka thënë në takim se flet “në emër të atyre që mbahen nën presion në Kosovë”, dhe ka pretenduar se për serbët lokalë në Kosovë, identiteti është kthyer në burim të pasigurisë, pasi “nën regjimin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, serbët identifikohen si “të tjerët” dhe që arrestimet, sulmet arbitrare dhe “eksodi i serbëve”, nuk mund të injorohen. Ai nuk i ka mbështetur pretendimet e tij me diçka konkrete.
Sipas Gjuriçit, Ligji për të Huajt ka shkaktuar brenga të mëdha për serbët në Kosovë.
“Ka pasur rrezik real që njerëzit të cilët kanë punuar me dekada, do të trajtoheshin si të huaj, duke humbur të drejtën e tyre për qëndrim apo për të jetuar në shtëpitë e tyre. Masat e tyre jo vetëm që janë të paqarta ligjërisht, por tregojnë për një vazhdimësi të riformimit të situatës. Serbët përballen me pengesa të shumta administrative e ligjore që ua bëjnë jetën më të vështirë, nga qasja në shërbime publike, deri te ushtrimi i drejtave themelore”.
Më 14 mars, Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjete.
Vendimi është përshëndur nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Serbia.
Mes tjerash, ministri serb ka kërkuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse, sipas tij, serbët “kanë mbetur pa kornizën ligjore që u është premtuar”.
Megjithatë, ai e ka thënë në një pjesë të fjalimit që serbët janë të gatshëm të shtrijnë dorën e bashkëpunimit, pasi dy popujt “nuk janë të destinuar që të mbesin në konflikt”.
“Ka hapësirë, sidomos në bashkëpunimin ekomomik, për të ndërtuar besim dhe për të krijuar të ardhme të përbashkët, ku rajoni i afrohet Bashkimit Evropian, bëhet pjesë e tregut të përbashkët dhe shfrytëzon mundësi të zhvillimit”.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh prej vitit 2011, mirëpo jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Peter Nicolaisen Due, i ka përmendur një mori procesesh që kanë marrë vëmendjen në Kosovë në muajt e fundit, nisur nga konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe çështja e presidentit, duke bërë thirrje që kjo e fundit të ketë epilog shpejt dhe që të shmangen zgjedhjet e reja.
Ai ka thënë se shpreson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të takohen në një të ardhme të afërt në Bruksel.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kosova, kanë insistuar që puna e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ka mbaruar, përderisa Serbia ka insistuar në vazhdimin e punës së tij.
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.
Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së vendit në shkurt të vitit 2008, UNMIK-u i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore./ REL
The post SHBA në OKB lëshon mesazh për Kosovën dhe Serbinë appeared first on Euronews Albania.
