Pogradeci mposht 3–0 Skënderbeun në volejboll, një hap larg finales

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ekipi i volejbollit të vajzave të Pogradecit ka fituar me rezultatin e pastër 3–0 ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Play Off të Kampionatit Kombëtar. Takimi i zhvilluar në Pallatin e Sportit “Arefi Berberi” u shoqërua me një atmosferë shumë të mirë në tribuna dhe me dominimin e skuadrës pogradecare.

Trajneri i Pogradecit, Besnik Lisha, u shpreh se ndeshjet e para të kësaj faze janë gjithmonë të vështira, por skuadra e tij arriti të gjejë ritmin dhe të sigurojë fitoren. Ai theksoi se ekipi është ndërtuar për të synuar titullin dhe forca kryesore mbetet grupi.

“Këto janë ethet e kampionatit, janë ndeshje që shumë prej këtyre vajzave nuk kanë marrë pjesë edhe të huaja, kanë luajtur më shumë vajzat shqiptare. Ndeshjet e para janë jashtzakonisht të vështira për të dalë në ritmin tonë, megjithatë ne jemi ekip solid, megjithëse patëm probleme dhe bëmë disa gabime, në fund ekipi gjeti forcën për të ekzekutuar mirë aty ku duhej. A e fitojmë edhe ndeshjen tjetër play off? As nuk bëhet fjalë, ne për këtë jemi këtu, ky ekip është ndërtuar që në fillim për këtë punë. Kemi shumë forcë goditëse dhe forca e ekipit tonë është grupi”, tha Besnik Lisha.

Nga ana tjetër, stafi i Skënderbeut pranoi se Pogradeci është një nga pretendentët kryesorë për kampionatin, ndërsa theksoi se do të përpiqen ta çojnë përballjen në një ndeshje të tretë.

“Ne e dinim që na priste një ndeshje shumë e fortë, Pogradeci është ekipi kryesor pretendent për këtë kampionat, megjithatë ne e kemi përgatitur ndeshjen, u pa edhe tek seti i parë dhe i tretë, është ai hapi i vogël që ne duhet të hedhim duke qenë se jemi ekip komplet i ri. Pogradeci tregoi që është ekip më i motivuar se ne, do mundohemi ta çojmë me ndeshje të tretë, kemi shumë punë për të bërë, por do përgatitemi”, theksoi zëvendës trajneri i Korçës, Julian Shishi.

Ndërkohë, lojtarja e Pogradecit Edona Kalludra deklaroi se objektivi i ekipit është fitimi i titullit dhe se skuadra do të kërkojë fitoren edhe në ndeshjen e radhës në Korçë.

“Kupa e tretë është për t’u marrë dhe kjo është më e rëndësishmja e gjithë këtij sezoni. Ne e kemi treguar që në fillim që jemi ekipi pretendetët kryesorë dhe sot treguam që jemi të pandalshëm. Korça na njeh shumë mirë, ne po ashtu, çdo gjë ka mbaruar, jemi në fazën play off luajmë për gjithçka ose asgjë. Na pret një ndeshje e vështirë dhe e fortë në Korçë, nisur nga tifozëria atje Korça bëhet shumë e fortë, por nuk besoj se mund të ndalë këtë Pogradec askush”, u shpreh Edona Kalludra, lojtare e Pogradecit.

Pogradeci ka fituar pak javë më parë dy kupa atë të Republikës dhe Ligën Gjergj Kastrioti dhe synon të arrijë tripletën me Kampionatin Kombëtar.

The post Pogradeci mposht 3–0 Skënderbeun në volejboll, një hap larg finales appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: