Mickoski: Nëse kthehet Gruevski, do të përfundojë menjëherë në burg

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri Hristijan Mickoski i dërgoi një mesazh të qartë ish-kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, duke theksuar se kthimi i tij në vend do të shoqërohej menjëherë me dërgimin në vuajtje të dënimit me burg.

“Nëse Nikolla Gruevski paraqitet në Maqedoni dhe ka një vendim të formës së prerë, atëherë institucionet do të veprojnë menjëherë. Ai do të sigurohet nga organet e rendit dhe do të dërgohet për vuajtje të dënimit me burg. Ne jemi një qeveri ku ligji vlen për të gjithë njësoj dhe askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht funksionit që ka pasur më parë”, tha Mickoski

Gruevski është i dënuar me disa vendime të formës së prerë, ndërsa më i rëndi lidhet me rastin “Parcelat në Vodno”, ku është dënuar me 9 vite burg për pastrim parash.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe kërkoi nga qeveria që të riaktivizojë menjëherë procedurat për ekstradimin e Gruevskit dhe të hetojë, siç tha, ndikimit financiar të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban në Maqedoni. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se ka lidhur interesat strategjike të vendit me qarqe të afërta me ish-pushtetin në Hungari, duke theksuar se opozita do të kërkojë përgjegjësi dhe transparencë për këto marrëdhënie.

“Kjo është një fitore e madhe, historike e demokracisë ndaj autokracisë, e Evropës ndaj ndikimeve ruse dhe kineze dhe e sundimit të ligjit ndaj korrupsionit. Ky është një mesazh për të gjithë rajonin se koha e autokratëve po përfundon, se po vjen koha e drejtësisë dhe përgjegjësisë dhe se rajoni i përket Evropës. Me rënien e këtij modeli, të gjitha marrëveshjet e fshehta dhe lidhjet e dyshimta do të dalin në dritë. Nuk do të ketë më mbrojtje politike. Tani gjithçka do të duhet të sqarohet para qytetarëve dhe institucioneve”, u shpreh Filipçe.

Sipas tij, kjo klimë e re politike pritet të reflektohet edhe përtej Hungarisë, duke paralajmëruar zhvillime të reja në rajon dhe në vend.

Debati për rikthimin e Gruevskit në RMV u aktivizua pas humbjes së Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari, ku i është dhënë azil politik ish kryeministri të RMV-së.

“Mendoj se kam folur shumë qartë edhe më herët për këtë çështje. Madje kam propozuar që të mos blejnë as mobilje në Hungari, sepse nuk do të qëndrojnë gjatë. Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelë ndërkombëtarë. Kjo nuk vlen vetëm për disa raste të caktuara, por edhe për z. Nikola Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë, i cili është i dënuar dhe nuk duhet të jetë në Hungari”, deklaroi lideri i ri hungarez Péter Magyar.

The post Mickoski: Nëse kthehet Gruevski, do të përfundojë menjëherë në burg appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: