Teksa kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, Kosova përballet me rrezikun e një krize të re politike.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se mungesa e një marrëveshjeje mes partive mund ta çojë vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme. Sipas tij, një skenar i tillë nuk do të sillte zgjidhje, por do të thellonte ngërçin institucional.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja”, u shpreh Kurti.
Kryeministri akuzoi opozitën se nuk janë të interesuar për një marrëveshje dhe për t’i dhënë fund situatës së krijuar.
“Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh. Nuk po më duken (opozita) të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje, dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.
Ndërkohë, koha për zgjidhjen e kësaj çështjeje po mbaron. Kanë mbetur rreth pesë ditë deri në përfundimin e afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Zgjedhja e Presidentit kërkon një shumicë të cilësuar në dy raundet e para ose 61 vota në raundin e tretë, por me praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Në kushtet kur asnjë forcë politike nuk i ka e vetme votat e nevojshme në Kuvendin me 120 vende, arritja e një marrëveshjeje ndërpartiake mbetet thelbësore për të shmangur një cikël zgjedhjesh dhe një krizë të zgjatur politike.
The post Me zgjedhje të njëpasnjëshme s’do të kemi zgjidhje’ Kurti për presidentin: S’po na bëjnë dëm neve, por shtetit appeared first on GIJOTINA.
