Maqedonia e Veriut drejt shfuqizimit të qeverisë teknike para zgjedhjeve

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Qeveria teknike në Maqedoninë e Veriut, me përfshirjen e ministrave nga opozita 100 ditë para zgjedhjeve, pritet të shkojë drejt shfuqizimit. Parlamenti ka miratuar nevojën për heqjen e këtij modeli, ndërsa deri në finalizimin e plotë mbeten vetëm disa procedura. Megjithatë, ndryshimet nuk do të vlejnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por për ciklin pasues.

Shumica parlamentare vlerëson se ky model është tejkaluar dhe se ndryshimet janë të domosdoshme për forcimin e stabilitetit institucional. Nga ana tjetër, opozita argumenton se po hiqet një mekanizëm kontrolli që synonte parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore.

“Unë mendoj se shteti ynë nuk është mjaftueshëm i gatshëm për këto zgjedhje korrekte dhe demokratike pa mekanizma mbrojtës, përkundrazi mendoj se kohën e fundit edhe janë vështirësuar edhe më shumë kushtet për zgjedhje të lira korrekte dhe demokratike”, është shprehur Ilir Hasani, anëtar i BDI-së.

Nga koalicioni VLEN, qëndrimi i BDI-së është cilësuar si hipokrit dhe si përpjekje për shtrembërim të realitetit politik.

Qeveria teknike nuk ishte një standard demokratik për t’u mbrojtur sot, por një zgjidhje emergjente e imponuar nga një krizë e thellë politike, krizë që erdhi si rezultat i bashkë qeverisjes së komprometuar dhe skandaleve të rënda ku BDI ishte pjesë në partneritet me regjimin e Nikolla Gruevskit”, është shprehur Saranda Imeri Stafai, anëtar ikoalicioni VLEN.

Rezerva për procedurën e ndjekur ka shprehur edhe LSDM-ja opozitare. Oliver Spasovski ka kritikuar përshpejtimin e procesit dhe ka kërkuar një debat më gjithëpërfshirës. Ndërkohë, VMRO-DPMNE rikujton se ka qenë kundër qeverisë teknike që në fillim.

Ky mekanizëm u vendos pas krizës së thellë politike të vitit 2015, përmes “Marrëveshjes së Përzhinos”, si garanci për zgjedhje më të drejta dhe më transparente. Qeveria teknike formohej 100 ditë para zgjedhjeve dhe parashikonte përfshirjen e opozitës në ekzekutiv përmes ministrave dhe zëvendësministrave në sektorë kyç si punët e brendshme, punët sociale dhe administrata publike, me synim parandalimin e keqpërdorimeve institucionale dhe rritjen e besimit në procesin zgjedhor.

The post Maqedonia e Veriut drejt shfuqizimit të qeverisë teknike para zgjedhjeve appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: