OBSH: Vaksinimi ndaj gripit në Europë rritet, por pabarazitë mbeten të thella

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Rajoni Europian i organizatës Botërore të shëndetësisë ka shënuar progres të rëndësishëm në vaksinimin kundër gripit gjatë 15 viteve të fundit, por një studim i ri tregon se përfitimet nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë.

Sipas analizës së publikuar në The Lancet Regional Health – Europe, numri i dozave të vaksinës është dyfishuar që nga sezoni 2008-2009 dhe deri në vitin 2021-2022 të gjitha shtetet e rajonit kanë krijuar programe kombëtare vaksinimi.

Megjithatë, diferencat mbeten të mëdha. Në vitin 2022-2023, vendet me të ardhura të larta shpërndanë mesatarisht rreth 140 doza për 1000 banorë, ndërsa vendet me të ardhura më të ulëta vetëm 14.6. Edhe mbulimi tek të moshuarit që përbëjnë 70% të vdekjeve nga gripi ishte 55% në vendet e pasura dhe vetëm 5% në ato më pak të zhvilluara.

Gripit sezonal i atribuohen deri në 650 mijë vdekje në vit në nivel global dhe rreth 5 milionë raste të rënda.

Objektivi global për vaksinimin e 75% të të moshuarve, i vendosur që në vitin 2003, është arritur vetëm nga 4 vende, Bjellorusia, Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

Edhe në Shqipëri, ekspertët e shëndetit publik theksojnë rëndësinë e rritjes së vaksinimit, veçanërisht tek të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, për të ulur rrezikun e komplikacioneve. Në vitin 2025 vendi ynë ofroi 280 mijë doza vaksine falas e cila thuajse u aplikua plotësisht në popullatën me risk të lartë.

Raporti nënvizon se sfidat kryesore mbeten aksesi, informimi dhe besimi i publikut, ndërsa kërkohet më shumë angazhim për të mbrojtur grupet më vulnerabël.

The post OBSH: Vaksinimi ndaj gripit në Europë rritet, por pabarazitë mbeten të thella appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: