Interi shtyn festën e titullit, barazon me Torinon

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Interi humbi shansin për të shpallur matematikisht titullin kampion këtë javë, pasi u ndal në barazim nga Torino, duke lënë gjithçka të hapur edhe për pak ditë.

Në një formë të shkëlqyer, Marcus Thuram kaloi Interin në avantazh në minutën e 23-të, duke realizuar me kokë pas një krosi të saktë të Federico Dimarcos. Për mbrojtësin italian, ky ishte asisti i 17-të sezonal, një shifër rekord në futbollin italian.

Dimarco vazhdoi paraqitjen e tij të shkëlqyer edhe në pjesën e dytë, duke dhënë një tjetër asist perfekt nga goditja e këndit për Yann Bisseck në minutën e 61-të. Me këtë, ai arriti në kuotën e 18 asistimeve këtë sezon.

Megjithatë, Torino reagoi shpejt dhe përmbysi rrjedhën e lojës. Giovanni Simeone ngushtoi diferencën në minutën e 70-të, ndërsa Nikola Vlasic barazoi shifrat në minutën e 79-të, duke i mohuar Interit festën e parakohshme.

Për të siguruar titullin e 21-të në Serie A, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu do të duhet të presë deri në fundjavën e ardhshme, kur do të përballet në shtëpi me Parmën. Me një epërsi prej 10 pikësh ndaj Napolit dhe vetëm katër ndeshje të mbetura, gjithçka mbetet nën kontroll për zikaltërit.

The post Interi shtyn festën e titullit, barazon me Torinon appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: