Grabitet në mënyrë spektakolare banka në Greqi, autorët largohen me mbi 200 mijë euro

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tre persona të armatosur grabitën mëngjesin e kësaj të hëne një degë banke në Kato Tithorea, duke marrë një shumë që sipas vlerësimeve paraprake tejkalon 200 mijë euro.

Sipas dëshmive, grabitësit hynë në bankë rreth orës 10:00, menjëherë pasi dega hapi dyert për klientët. Autorët, të cilët kishin fytyrat e mbuluara dhe mbanin armë të rënda, qëndruan për afro 30 minuta brenda ambientit, duke pritur përfundimin e procedurës së vonesës kohore për hapjen e kasafortës.

Pasi morën paratë, ata u larguan me një automjet arratisjeje në drejtim të Mali Parnassos, përmes zonës së Amfiklias. Gjatë largimit, disa kartëmonedha ranë nga çantat e autorëve dhe mbetën në vendngjarje. Pamjet e siguruara nga mediat lokale tregojnë momentin kur paratë bien në tokë teksa grabitësit largohen me shpejtësi.

Banorë të zonës thanë se policia nuk mbërriti gjatë kohës që po zhvillohej grabitja. “Policia nuk u shfaq kurrë”, u shpreh një banor për mediat greke.

Ndërkohë, Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, me hetimet që janë përqendruar në zonën më të gjerë të Parnassosit dhe rrugët që dyshohet se janë përdorur për arratisje.

The post Grabitet në mënyrë spektakolare banka në Greqi, autorët largohen me mbi 200 mijë euro appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: