Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka pritur në një takim të rëndësishëm pune drejtues të lartë të institucioneve olimpike ndërkombëtare dhe rajonale, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në takim morën pjesë Presidenti i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe njëherësh Presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, zëvendëspresidenti Milaim Kelmendi, si dhe këshilltari i Ministrit të Sportit të Kosovës, Drilon Brahimi, shkruan KosovaPress.
Takimi u zhvillua në kuadër të inspektimeve dhe koordinimit për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, event që konsiderohet historik për sportin në Kosovë dhe rajon. Në këtë organizim, Durrësi do të ketë një rol të rëndësishëm si qytet mbështetës për zhvillimin e të gjitha sporteve ujore.
Gjatë takimit, Presidenti Fidel Ylli prezantoi zhvillimet dhe arritjet e sportit shqiptar në vitet e fundit, duke u ndalur te transformimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe investimet në infrastrukturë sportive, organizim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Presidenti Julian Pace Bonello u shpreh i impresionuar nga mikpritja dhe progresi i sportit shqiptar, duke vlerësuar mbështetjen dhe bashkëpunimin strategjik për suksesin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, vlerësoi kontributin e Fidel Yllit në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve olimpike dhe në zhvillimin e sportit në rajon.
Edhe Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, çmoi mbështetjen e vazhdueshme të Fidel Yllit ndaj Kosovës, duke theksuar se vizioni, energjia dhe përkushtimi i tij mbeten frymëzim për komunitetin sportiv shqiptar.
Takimi konfirmoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, me synimin që ky event të shndërrohet në një prej organizimeve më të rëndësishme sportive në rajon dhe në Mesdhe.
The post Kosova dhe Shqipëria intensifikojnë koordinimin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” appeared first on Euronews Albania.
