Një ditë para ditës së zgjedhjeve në vendin tonë, shtetasit e Kosovës që jetojnë në 18 shtete të ndryshme të botës, do të mund të votojnë në përfaqësitë diplomatike të vendosura në këto shtete.
Kjo është hera e tretë që Kosova do të organizojë votimin fizik në një numër të madh të shteteve ku kryesisht është e përqendruar diaspora.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar për KosovaPress, se më 6 qershor do të hapen qendrat e votimit në 30 përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës për të mundësuar votimin e më shumë se 27,724 shtetasve të Kosovës, të cilët janë regjistruar dhe kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
“Më 6 qershor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, së pari votimi do të fillojë në ambasadën në Ankara dhe në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Europës. Në fund, votimi do të mbyllet ShBA dhe Kanada, ku do të hapen për votim ambasadat në Uashington dhe Otavë dhe konsullatat në Nju Jork dhe Toronto”, tha Elezi.
Elezi ka shpjeguar edhe ndryshimet që kanë shoqëruar procesin e përcaktimit të përfaqësive diplomatike në të cilat do të zhvillohet votimi fizik. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, por ky numër është reduktuar në 30 pasi në 18 prej tyre numri i votuesve të regjistruar ishte nën 50.
The post Zgjedhjet në Kosovë, votohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete appeared first on Euronews Albania.
