Lëvizja Vetëvendosje ka hapur shtabin e saj në Shkup, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 7 qershor.
Nga ky subjekt politik thonë se edhe diaspora dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë rol aktiv në procesin zgjedhor.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se lidhjet mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut janë të vazhdueshme dhe sipas tij kjo afërsi reflektohet edhe në mbështetjen politike.
“Tradicionalisht popullata jonë që kemi në Maqedoninë e Veriut, nëse i numëroni lidhjet familjare, jetën tonë shoqërore të përbashkët, sa prej gjeneratave para meje kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe kanë banuar atje, madje janë martuar dhe i kemi gjithë ato lidhje që na bëjnë të ndjehemi një popull, një komb dhe shumë të lidhur me njëri-tjetrin”, tha Glauk Konjufca, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili e cilësoi hapjen e shtabit si moment të rëndësishëm për organizimin e mbështetësve të Vetëvendosjes në vend.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin Kosovën në rrugë të drejtë, drejt zhvillimit, prosperitetit. Me qeverisjen e Albin Kurtit, Glauk Konjufcës e VV-së me shumë kënaqësi e presim hapjen e këtij shtabi që do jetë një adresë për gjithë ata që më 7 qershor t’i japin kahe fitores së re”, u shpreh Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN.
Sipas Izet Mexhitit, kjo është hera e parë që një parti politike nga Kosova hap shtab në Shkup për zgjedhjet parlamentare.
Ai shtoi se ky organizim pritet të ndikojë në forcimin e bashkëpunimit politik dhe komunikimit mes shqiptarëve në të dy vendet.
The post LVV lëviz para zgjedhjeve hap shtabin në Shkup, diaspora rol aktiv appeared first on Euronews Albania.
