Administrata Tatimore ka hapur zyrtarisht procesin e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026, duke u dhënë mundësi bizneseve dhe tatimpaguesve të regjistruar si persona fizikë apo entitete të aplikojnë online përmes sistemit “e-filing”.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet do të pranohen nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026, ndërsa procesi synon tatimpaguesit që janë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi.
Për të përfituar nga kjo marrëveshje, subjektet duhet të plotësojnë një sërë kriteresh ligjore. Mes tyre përfshihet ushtrimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri, realizimi i të ardhurave bruto mbi 14 milionë lekë gjatë vitit të kaluar tatimor, mungesa e detyrimeve të papaguara apo të padeklaruara, si edhe mungesa e proceseve të ankimit administrativ ose hetimeve penale në fushën tatimore.
Administrata Tatimore sqaron se nuk do të pranohen subjekte që janë dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim parash apo fshehje të ardhurash, si edhe ato që realizojnë projekte koncesionare.
Tatimpaguesit duhet të paraqesin kërkesën në rubrikën “Çështjet e mia” në sistemin “e-filing”, duke ngarkuar dokumentacionin përkatës, përfshirë formularin e aplikimit, vërtetimet nga Prokuroria dhe Drejtoria e Apelimit Tatimor, dëshmitë e penalitetit dhe vetëdeklarimet e kërkuara nga ligji.
Sipas procedurës, Administrata Tatimore do të shqyrtojë aplikimet dhe do të komunikojë vendimmarrjen elektronikisht brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se 10 qershor 2026.
Më pas, subjektet e miratuara duhet të dorëzojnë dokumentin e nënshkruar pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse deri më 15 qershor 2026, fizikisht ose përmes sistemit online.
Ndërkohë, tatimpaguesit që kanë deklaruar rideklarim të pasqyrave financiare për vite të mëparshme do të duhet, deri më 30 qershor 2026, të kryejnë pagesat përkatëse të tatimit, të dorëzojnë pasqyrat e korrigjuara financiare dhe të paraqesin sqarimet mbi ndryshimet e reflektuara.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar, duke theksuar se aplikimet pas datës 5 qershor 2026 nuk do të merren në shqyrtim./Business Mag
Formularët e aplikimit i gjeni këtu
The post Marrëveshja e Paqes Fiskale, ja dokumentet dhe formularët që kërkohen appeared first on Fast News Economy.
