Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, ka marrë shtetësi të plotë hungareze në vitin 2022, mbi bazën e “interesit shtetëror të Hungarisë”, raportoi portali hulumtues VSquare, duke u thirrur në burime nga qeveria hungareze.
Sipas raportimit, Gruevski, i cili prej vitit 2018 jeton në Budapest pasi u arratis nga Maqedonia për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg, tani gëzon mbrojtje shumë më të fortë juridike nga një ekstradim i mundshëm. Derisa azili politik mund të hiqet, heqja e shtetësisë është procedurë shumë më e vështirë dhe kërkon prova se ajo është fituar përmes mashtrimit ose korrupsionit.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria nuk ka informacion nëse Gruevski posedon shtetësi hungareze.
Sipas VSquare, pozita e Gruevskit është më e sigurt se ajo e politikanëve të tjerë të arratisur që kanë kërkuar strehim në Hungari. Kjo për shkak se shtetësia, ndryshe nga azili, i jep atij një nivel mbrojtjeje që e bën pothuajse imun ndaj premtimeve për ekstradim nga autoritetet e reja hungareze.
Gruevski u arratis nga Maqedonia në nëntor të vitit 2018, pak para se të niste vuajtjen e dënimit me dy vjet burg në rastin “Tank”, që lidhej me blerjen e një “Mercedesi” luksoz të blinduar në vlerë prej 600 mijë eurosh. Më pas, autoritetet hungareze i miratuan azil politik.
Nga Gjykata Themelore Penale në Shkup kanë konfirmuar se ndaj Gruevskit ekzistojnë urdhërarreste për dy raste. Në rastin “Dhuna në Qendër”, ai është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa ekzekutimi i dënimit parashkruhet më 10 shtator 2027. Në rastin “Parcelat në Vodno”, ai ka dënim unik prej 9 vjetësh burg, i cili parashkruhet më 14 shkurt 2043.
Çështja e kthimit të Gruevskit në vend u aktualizua pas ndryshimeve politike në Hungari. Megjithatë, kërkesa e mëparshme për ekstradim ka skaduar, ndërsa pushteti aktual deri tani nuk e ka rinovuar atë. Për momentin, ndaj tij nuk ka as fletarrest aktiv nga Interpoli, gjë që e forcon edhe më shumë pozitën e tij në Budapest.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, më 14 prill deklaroi se do të kërkojë nga gjykatat, prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme informacione të detajuara për lëndët penale aktive dhe të vjetruara kundër Gruevskit, në mënyrë që të përgatiten të dhëna të sakta për një kërkesë të mundshme ekstradimi drejt autoriteteve hungareze.
The post Gruevski ka shtetësi hungareze, ekstradimi në Maqedoni bëhet pothuajse i pamundur appeared first on Euronews Albania.
