Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një vizitë në Prishtinë, ku është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Njoftimi është bërë i ditur në rrjetin social X, ku Hoxha shkruan se ka diskutuar me Hamzën mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi dhe gjithashtu diskutime mbi ish-krerët e UÇK-së.
“Pata kënaqësinë e një takimi të ngrohtë dhe miqësor me Kryetarin e #PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale politike në #Kosovë dhe sfidat e periudhës në vijim.
Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin.
E sigurova për mbështetjen e palëkundur të #Shqipërisë ndaj #Kosovës, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese evroatlantike, si dhe në përpjekjet për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Diskutuam gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të #dialogut Kosovë–Serbi, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve.
U kushtuam vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e #UÇK-së. Shpreha respektin dhe solidaritetin tonë për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin tonë në pafajësinë e tyre. Njëkohësisht, ritheksova pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor”, ka shkruar Hoxha.
The post Hoxha takim me kryetarin e PDK-së në Prishtinë, fokusi zhvillimet politike në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
