Korça po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacionin ku turistët nuk njihen vetëm me historinë, muzeumet dhe kulinarinë, por edhe me traditat që e bëjnë qytetin unik.
Këtë herë, një grup turistësh nga Gjermania vizituan Qendrën e Artit dhe Kulturës, ku u bënë pjesë e një aktiviteti të veçantë kushtuar valleve tradicionale shqiptare.
Nën tingujt e muzikës popullore korçare, turistët mësuan hapat bazë të valleve tona, duke u njohur nga afër me një prej elementëve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare. Për ta, kjo ishte një eksperiencë e re dhe emocionuese.
“Është shumë bukur të mësosh vallet tuaja. Janë valle të bukura. Vallja shqiptare ka ndryshim me kërcimet tona gjermane. Ka më shumë elegancë vallja shqiptare”, u shprej një grua gjermane.
Ndërkohë, një tjetër turistë gjerman u shpreh se është hera e parë që është në Shqipëri dhe se po mëson kërcimet tona tradicionale.
“Për mua është hera e parë në Shqipëri. Po kënaqemi shumë dhe qershia mbi tortë është të mësojmë kërcimet tuaja tradicionale. Është shumë bukur kur kapeni bashkë prej duarsh dhe luani. Korça është një nga qytetet më të qeta që kemi parë, qytet plot kulturë. Vallet tuaja janë burrërore. Të bëjnë të ndihesh i fortë. Do ua mësojmë edhe fëmijëve tanë kur të kthehemi në Gjermani”, u shpreh ai.
Sipas Gloria Nures, një prej koordinatoreve të Qendrës së Artit dhe Kulturës, turistët që vizitojnë Korçën shfaqin gjithnjë e më tepër interes për folklorin, kostumografinë dhe vallet tradicionale. Ajo thotë se vizitorët jo vetëm mësojnë vallet shqiptare, por shpesh ndajnë edhe traditat e vendeve nga vijnë, duke krijuar një shkëmbim të bukur kulturor.
“Me shumë kënaqësi presim turistë të shumtë nga vende të ndryshme të botës, nga Ballkani, Evropa e jo vetëm. Këtë vit kemi më shumë turistë nga Gjermania, të cilët përveç se janë njohur me muzetë, kuzhinën dhe qytetin, kanë shprehur dëshirën të njihen me folklorin e qytetit. Janë njohur me vallet tona popullore dhe kostumografinë korçare. Zakonisht janë nga vendet fqinje e të afërta si Gjermania, Italia dhe Greqia. Për habinë tonë ndihen si në shtëpinë e tyre. Mësojnë vallet tona dhe na mësojnë ne kërcimet e tyre”, tregoi Nures.
Nga muzeumet dhe pazari karakteristik, deri te muzika dhe vallet tradicionale, Korça po u ofron turistëve të huaj një përvojë të plotë kulturore. Një eksperiencë që shumë prej tyre premtojnë ta marrin me vete, duke e çuar frymën e folklorit shqiptar edhe përtej kufijve të vendit.
The post Nga Gjermania në Korçë, turistët mësojnë hapat e valleve shqiptare appeared first on Euronews Albania.
