Rrahman Kasa: Investimet strategjike në turizëm janë një mundësi historike për zhvillimin e Shqipërisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kundërshtimet dhe protestat e organizuara ndaj investimit strategjik prej mbi 4 miliardë eurosh që parashikohet të realizohet në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se zhvillimi i turizmit dhe ekonomisë shqiptare nuk mund të pengohet nga dezinformimi apo interesat që nuk i shërbejnë vendit.

Sipas Kasës, investime të këtij niveli, të cilat sjellin në Shqipëri marka prestigjioze ndërkombëtare si Mandarin Oriental, Aman dhe Atlantis, disa prej të cilave ende nuk janë prezente në tregun europian, përbëjnë një mundësi të jashtëzakonshme për rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik elitar.

“Projekte të tilla rrisin vlerën e pronës, krijojnë mundësi të reja për sipërmarrjet vendase, tërheqin investime të tjera dhe forcojnë pozicionin e Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare. Kundërshtimi i tyre pa argumente të bazuara në fakte i shërben më shumë vendeve konkurruese të rajonit sesa interesit kombëtar shqiptar”, deklaroi Kasa.

Ai theksoi se Unioni Turistik Shqiptar respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe kërkon që çdo investim të zbatohet në përputhje me standardet më të larta ligjore dhe mjedisore. Megjithatë, sipas tij, Shqipëria nuk mund të refuzojë projekte strategjike që rrisin konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar në Mesdhe dhe që parashikohet të krijojnë mbi 10 mijë vende pune direkte dhe indirekte.

Në lidhje me pretendimet për mbivendosje pronash, Kasa nënvizoi se, bazuar në deklarimet publike, projekti po zhvillohet mbi prona private të blera në mënyrë të ligjshme. Ai shtoi se çdo qytetar që pretendon cenim të së drejtës së pronës duhet t’u drejtohet institucioneve gjyqësore për të kërkuar verifikimin e pretendimeve dhe garantimin e të drejtave të tij.

“Mosmarrëveshjet pronësore duhet të zgjidhen nga institucionet e drejtësisë dhe jo të përdoren për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Debati duhet të zhvillohet mbi baza ligjore, me transparencë dhe respekt për shtetin e së drejtës”, u shpreh ai.

Duke komentuar edhe kundërshtimet e ngritura nga grupet ambientaliste, Kasa theksoi se turizmi modern ndërkombëtar mbështetet pikërisht në ruajtjen e natyrës, biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore, ndaj çdo zhvillim duhet të respektojë standardet mjedisore, por kjo nuk duhet të kthehet në argument për bllokimin apriori të investimeve strategjike.

“Zvërneci është një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë. Sfida jonë nuk është ta lëmë të pazhvilluar, por ta zhvillojmë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë. Mirëqenia vjen nga zhvillimi ekonomik dhe investimet që krijojnë vende pune, të ardhura dhe mundësi për komunitetet lokale”, deklaroi Kasa.

Në përfundim, Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar bëri thirrje që debati mbi investimin në Zvërnec të bazohet në fakte, transparencë dhe interesin afatgjatë të Shqipërisë, duke vlerësuar se projekte të tilla mund ta shndërrojnë vendin në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Mesdheut dhe të kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik kombëtar.

gijotina.com/

The post Rrahman Kasa: Investimet strategjike në turizëm janë një mundësi historike për zhvillimin e Shqipërisë appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: