Kosova në NATO? Rubio: Për momentin, jo në krye të axhendës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio pohoi se zgjerimi i NATO-s duke përfshirë Kosovën nuk është aktualisht në krye të axhendës së vendeve anëtare të aleancës.

Por kreu i DASH nënvizoi se kjo nuk e përjashton mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen. Përpara Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, shefi i diplomacisë amerikane argumentoi se bazuar në diskutimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, NATO-ja është e fokusuar në prioritete të tjera dhe se çështja e zgjerimit, përfshirë anëtarësimin e Kosovës, nuk ka qenë pjesë e rëndësishme e bisedimeve të fundit.

Deklaratat e tij erdhën në përgjigje të pyetjeve të kongresistit Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Europën, i cili e përshkroi situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”. Self kërkoi që SHBA-ja të mbështesë me forcë anëtarësimin e Kosovës në NATO, e të fokusohet te dialogu me katër vendet anëtare të aleancës që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.  Kosova e konsideron anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian si objektiva strategjikë, por mosnjohja nga disa shtete vazhdon të mbetet pengesë për integrimin e saj euroatlantik.

Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.

gijotina.com/

The post Kosova në NATO? Rubio: Për momentin, jo në krye të axhendës appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: