Franca dhe Gjermania tërhiqen nga projekti për avionët luftarakë të gjeneratës së re

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Franca dhe Gjermania kanë deklaruar se janë tërhequr nga programi i përbashkët për zhvillimin e avionëve luftarakë të gjeneratës së re, një projekt që konsiderohej si një nga nismat më të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane.

Programi, i njohur si “Sistemi Ajror Luftarak i së Ardhmes”, ishte konceptuar në vitin 2017 me qëllim zëvendësimin e avionëve francezë “Rafale” dhe atyre “Eurofighter” të përdorur nga Gjermania dhe Spanja.

Sipas njoftimeve, vendimi për të braktisur projektin lidhet me mosmarrëveshje të vazhdueshme mes kompanive kryesore të përfshira, “Dassault Aviation” dhe “Airbus”, si dhe me dallime të theksuara mbi drejtimin dhe ndarjen e punës në program.

Avionët e planifikuar parashikohej të pajiseshin me teknologji të avancuar, përfshirë dronë, sensorë dhe sisteme digjitale komunikimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në hapësirën ajrore në skenarë lufte.

Megjithatë, programi shumë miliarda dollarësh u përball me tensione të brendshme, ku pala franceze kërkonte drejtim më të fortë në projekt, ndërsa Gjermania dhe partnerët e saj nuk pranonin rol dytësor në zhvillim.

Një tjetër pikë mosdakordësie lidhej me kërkesën e Francës për një avion të aftë për transport armësh bërthamore, kërkesë që nuk u mbështet nga pala gjermane.

Projekti shihej si një test kyç për aftësinë e Evropës për të ndërtuar një industri të përbashkët mbrojtjeje, në një kohë tensionesh gjeopolitike dhe pasigurie në raport me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, por tashmë e ardhmja e tij mbetet e paqartë.

The post Franca dhe Gjermania tërhiqen nga projekti për avionët luftarakë të gjeneratës së re appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: