Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një intervistë për CNN lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare teksa theksoi se mesazhi i qytetarëve ishte i qartë dhe se ata duan kompromis mes palëve.
Sipas saj nuk ka vend për politikë të llojit “one man show”. Ajo shtoi se shpreson që mesazhi i qytetarëve të lexohet në mënyrën e duhur nga të gjithë forcat politike.
Osmani theksoi ndër të tjera se kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për ta zgjedhur presidentin, por edhe për ta zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit.
“Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis mes forcave politike dhe s’ka vend për një politikë të llojit “one man show”. Se ndërsa vendet e tjera në rajon mund të zgjedhin atë lloj rruge ku dikush kontrollon gjithçka, Kosova gjithmonë ka qenë një model për demokracinë kur sa herë forcat politike janë bashkuar mbi çështjet e interesit kombëtar, kanë punuar së bashku, gjithmonë ka pasur zgjidhje që kanë sjellë përfitime për vendin tonë, brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht.
Prandaj shpresoj që ky mesazh i qytetarëve të lexohet në mënyrën e duhur nga të gjithë forcat politike. Sigurisht që nga ana jonë do të lexohet në mënyrën e duhur. Dhe çdo përpjekje nga ana jonë do të fokusohet në gjetjen e kompromisit dhe krijimin e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me disa vendime shumë të rëndësishme për interesin e vendit. Në këtë pikë, kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për ta zgjedhur presidentin, por edhe për ta zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit.
Pra për të tre institucionet, do të na duhet një kompromis i ri. S’mendoj se kompromisi duhet të shihet si një fjalë e keqe, ose diçka negative. Përkundrazi, kompromisi është vlera më e mirë që mund ta kesh në politikë. Pra, të gjithë do të duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dhe ne jemi gati t’i japim vendit tonë pikërisht këtë”, tha ndër të tjera ajo.
The post Zgjedhjet në Kosovë, Osmani: Mesazhi i qytetarëve ishte i qartë, duhet lexuar siç duhet nga forcat politike appeared first on Euronews Albania.
