Kombëtarja e vajzave ka shkruar një faqe historike në futbollin shqiptar, duke triumfuar me rezultatin 5-2 ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të Botërorit “Brazil 2027” për vajza.
Një fitore që vlen shumë më tepër se tre pikë, pasi kurorëzon një rrugëtim të mbushur me sakrifica, përkushtim dhe besim, duke sjellë arritjen më të madhe në historinë e futbollit të vajzave në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, vajzat e drejtuara nga trajneri Armir Grima sigurojnë qëndrimin në Ligën B të UEFA-s dhe regjistrojnë një tjetër rekord, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në grup.
Shqipëria e nisi takimin me ritëm të lartë dhe raste të shumta, ku që në minutat e para rrezikoi me Fortesa Berishën, e cila goditi traversën.
Megjithatë, ishte Mali i Zi që kaloi i pari në avantazh në minutën e 20-të. Reagimi kuqezi ishte i menjëhershëm: pas një aksioni në zonë, kapitenia Megi Doçi u ndal në mënyrë të parregullt dhe gjyqtarja akordoi penallti, duke ndëshkuar me karton të kuq portieren kundërshtare. Nga pika e bardhë, Doçi nuk gaboi duke barazuar në 1-1.
Në fundin e pjesës së parë, malazezet rikthyen avantazhin, por Shqipëria reagoi sërish. Pas një aksioni të ndërtuar mirë, Fortesa Berisha barazoi në 2-2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria dominoi plotësisht ndeshjen. Përmbysja erdhi në minutën e 63-të, kur Megi Doçi realizoi një gol të bukur nga distanca, duke kompletuar dopietën personale.
Më pas, në minutën e 67-të, Gresa Berisha shënoi për 4-2 pas asistit të Ezmiralda Franjës, ndërsa vetëm tre minuta më vonë, Arbiona Bajraktari vulosi shifrat 5-2, sërish me asist të Franjës.

The post Shqipëria e vajzave siguron Ligën B dhe play off-in historik për Botërorin “Brazil 2027” appeared first on Euronews Albania.
