Bota i përulet Messit!

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pak orë para se ai të ngjitej në arenë, ata dy të rinjtë, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, kishin shënuar nga dy gola me Kombëtaret e tyre dhe të gjithë po flisnin për epokën që ata po ndërtojnë në arenën e madhe të futbollit.

Messi ndërkohë me siguri ndodhej i ulur në një cep të dhomës së zhveshjes, teksa përgatitej për ndeshjen me Algjerinë, me telefonin në një dorë duke parë golat e “të rinjve” dhe në dorën tjetër duke pirë çajin e tij të preferuar, “mate”.

Nënqesh pak, por nuk thotë asgjë, asnjë fjalë, sepse gjithnjë e ka bërë këtë në fushën e lojës me vepra. Vjen momenti i tij, 3:00 me orën shqiptare, 21:00 me atë të Kansasit në Misuri. Arenën e njeh, sepse luan prej vitesh tashmë atje, me Inter Miamin.

Përballë është Algjeria, një kombëtare jo brilante, por nga ato që dinë të mbyllen e të të prishin punë. Por kjo nuk e pengon Leo Messin të mahnisë edhe një herë tjetër Botën dhe të gjithë të ndihen me fat që jetojnë në epokën e tij.

Tre gola, njëri më unik se tjetri dhe Messi 3, Algjeria 0. Rekordet vijnë si lumë. Ky ishte goli i 16-të, aq sa ka shënuar edhe Miroslav Klose. I mjafton edhe një gol për ta kaluar Gjermanin dhe për të shtuar edhe një rekord si golashënues e Botërorëve në arkivën e tij të pafundme.

Por jo vetëm kaq. Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, Leo Messi është lojtari më “i vjetër” që arrin të shënojë më shumë se një gol në një ndeshje të Kupës së Botës. I fundit që e bënte ishte legjendari Roger Milla, 38 vjeç e 34 ditë.

Messi është lojtari i parë që nga viti 1966 që shënon 5 gola nga jashtë zonës në ndeshjet e Kupës së Botës. I fundit që e bënte ishte Rivellino. E djeshmja ishte ndeshja e tij e 200-të me Argjentinën dhe Leo Messi u bë futbollisti i parë në histori që luan në 6 Kupa të Botës në karrierën e tij.

Një tjetër detaj. Goli i parë i Leo Messit në një Botëror shënohej më 16 qershor 2006. 20 vite më vonë, po me 16 qershor, ai shënonte edhe golin e 16-të, për të arritur rekordin historik të Klose.

E vetmja gjë që na mbetet është të shijojmë edhe pak kohë nga magjia e tij.

The post Bota i përulet Messit! appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: