Gjykata Kushtetuese heq emrat shqiptarë të rrugëve në qytetin e Tetovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Vendimi është miratuar me pesë vota “për”, ndërsa kundër votuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe gjyqtari që përfaqëson komunitetin turk në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi të shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin 11 rrugë dhe një shesh në Tetovë morën emra të figurave dhe ngjarjeve shqiptare.

Lënda u iniciua nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, e cila argumentoi se ndryshimi i emrave ishte bërë pa pëlqimin e Qeverisë dhe në kundërshtim me ligjin.

Me vendimin e sotëm shfuqizohen emërtimet “Iliria”, “Dervish Cara”, “Mehmet Pashë Deralla”, “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit”, “Abdyl Frashëri”, “Sami Frashëri” dhe të tjera, duke rikthyer emra si “Marshall Tito”, “JNA”, “Lenin”, “Ivo Lola Ribar” dhe “Radovan Coniq”.

Sipas informacioneve të publikuara, emrat e vendosur para 19 vitesh ishin shfaqur kryesisht në tabelat e rrugëve, por nuk ishin pasqyruar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve.

Pas shpalljes së vendimit, iniciatori i lëndës, Darijan Sotirovski, reagoi në rrjetet sociale duke e përshëndetur vendimin dhe duke e cilësuar atë si fundin e “emrave të imponuar dhe të paligjshëm”.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga opozita shqiptare. Nga BDI thanë se anulimi i vendimit të vitit 2007 përbën kthim prapa dhe cenon barazinë ndëretnike në qytet.

“Kjo është goditje ndaj çdo vlere shqiptare dhe ndaj realitetit të ndërtuar pas vitit 2001. Po tentohet rikthimi i një realiteti të vjetër diskriminues”, është shprehur Bashkimi Demokratik për Integrim.

Reagim pati edhe nga zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i cili akuzoi BDI-në dhe Gjykatën Kushtetuese për bashkëveprim politik dhe paralajmëroi masa për ruajtjen e emërtimeve shqipe.

“Këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që BDI-ja nuk e respektoi dhe si rrjedhojë ato emra asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishëm. Ne i kemi paraprirë kësaj situate, prandaj është formuar Komisioni për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë, i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të propozojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, që reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, është shprehur Qamili.

Sipas Qamilit, komisioni i ngritur nga Komuna e Tetovës po punon për një zgjidhje të re që do të sigurojë ruajtjen e emërtimeve shqiptare në përputhje me procedurat ligjore, duke shmangur kontestimet e ardhshme juridike.

The post Gjykata Kushtetuese heq emrat shqiptarë të rrugëve në qytetin e Tetovës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: