Norvegjia kryeson listën e kombëtareve që inteligjenca artificiale i konsideron si surprizat e mundshme të Kupës së Botës 2026, sipas një analize të publikuar nga firma e monitorimit të medias dhe marrëdhënieve me publikun APA-Comm.
Sipas studimit, Norvegjia grumbulloi 548 përmendje nga modelet e inteligjencës artificiale, duke lënë pas me një diferencë minimale Japoninë me 547 përmendje dhe Marokun me 529. Në pesëshen e parë renditen gjithashtu Kolumbia me 357 përmendje dhe Ekuadori me 288, ndërsa Austria zë vendin e gjashtë me 242 përmendje.
Për analizën, modeleve kryesore të IA-së, përfshirë ChatGPT, Google AI Mode dhe Perplexity, iu drejtuan 25 pyetje mbi ekipet që mund të konsiderohen “dark horses” të Botërorit 2026. Favoritët tradicionalë për titullin u përjashtuan qëllimisht nga vlerësimi.
Sipas përgjigjeve të modeleve, Norvegjia vlerësohet për cilësinë individuale të lojtarëve dhe paraqitjet e mira në kualifikime, me fokus të veçantë te sulmuesi Erling Haaland. Ndërkohë, Japonia spikat për disiplinën taktike, nivelin teknik dhe tranzicionet e shpejta në lojë.
Edhe Maroku renditet mes kandidatëve kryesorë për të surprizuar në turne, duke u bashkuar me Norvegjinë dhe Japoninë në krye të listës së ekipeve që mund të sfidojnë fuqitë tradicionale të futbollit.
Megjithatë, APA-Comm thekson se rezultatet e inteligjencës artificiale duhet të interpretohen me kujdes. Sipas kompanisë, modelet gjenerative nuk ofrojnë gjithmonë përgjigje të qëndrueshme dhe mund të jenë të prirura ndaj gabimeve ose “halucinacioneve”, ndaj gjetjet e tyre duhen kontekstualizuar dhe analizuar në mënyrë kritike.
The post Edhe Inteligjenca Artificiale parashikon fituesin e mundshëm të Kupës së Botës, cili shtet kryeson listën e kombëtareve appeared first on Euronews Albania.
