Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur diskutimet për ndryshimin e strukturës së kampionateve kombëtare për sezonet 2026/27, 2027/28 dhe 2028/29. Departamenti i Garave dhe Komisioni i Ligave dhe Garave zhvilluan sot një takim konsultues me përfaqësuesit e klubeve të Superligës dhe Kategorisë së Parë.
Takimi u organizua në kuadër të analizës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të garave kombëtare, me synimin për të rritur cilësinë, konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e futbollit shqiptar. Në bashkëpunim me UEFA-n dhe kompaninë ndërkombëtare të specializuar në hartimin e formateve të kampionateve, Hypercube, Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, prezantoi një propozim për formatin e ri të kampionatit.
Sipas FSHF-së, propozimi synon reduktimin e ndeshjeve pa objektiv sportiv në periudha të caktuara të sezonit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe angazhimit të klubeve në të gjitha fazat e garës, si dhe përmirësimin e përgatitjes së skuadrave shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane përmes ndeshjeve me rëndësi të lartë sportive.
Po ashtu, formati i ri synon krijimin e një produkti më dinamik dhe më tërheqës për tifozët, transmetuesit dhe partnerët komercialë, duke ruajtur interesin sportiv deri në fund të sezonit.
Gjatë takimit, drejtuesit e klubeve paraqitën opinionet dhe sugjerimet e tyre lidhur me propozimin e prezantuar. Të gjitha rekomandimet e mbledhura do t’i paraqiten Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili do të shqyrtojë propozimet dhe do të marrë vendimin përfundimtar mbi strukturën dhe skemën e kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë për tre sezonet e ardhshme.
The post FSHF propozon ndryshime në kampionatet kombëtare, nisin konsultimet me klubet appeared first on Euronews Albania.
