​Egjipti kërkon përjashtimin e gjyqtarëve nga Kupa e Botës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Federata e Futbollit e Egjiptit ka paraqitur ankesë zyrtare në FIFA, duke kërkuar hetim ndaj ekipit të arbitrave që ndau drejtësinë në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Argjentinës, si dhe përjashtimin e tyre nga vazhdimi i turneut.

Në komunikatën e Federatës thuhet se presidenti, Hany Abou Rida, ka dorëzuar ankesën për shkak të, siç theksohet, ‘gabimeve të rënda të arbitrimit dhe standardeve të dyfishta’, të cilat sipas federatës ndikuan drejtpërdrejt në eliminimin e Egjiptit pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës në Atlanta.

Sipas federatës egjiptiane, një nga momentet më të diskutueshme ishte anulimi i golit të Mostafa Zico në pjesën e dytë, pasi sistemi VAR konstatoi një faull të mesfushorit Marëan Attia ndaj Lisandro Martinez në fillim të aksionit.

Po ashtu, Egjipti pretendon se Mohamed Salah u pengua në zonën e rreptësisë pak sekonda para se Argjentina të realizonte golin e fitores në kohën shtesë.

Në deklaratën e saj, federata thekson se ka kërkuar hetim për arbitrin francez.

“Hany Abou Rida, presidenti i Federatës Egjiptiane të Futbollit ka paraqitur një ankesë në FIFA, duke kërkuar hetim ndaj arbitrit francez François Letexier pas gabimeve serioze të bëra nga ekipi i arbitrave dhe standardeve të dyfishta, të cilat çuan në humbjen e Egjiptit dhe eliminimin nga Kupa e Botës”, u shkrua në deklaratë.

Federata shton se ka kërkuar hetim të plotë ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të VAR-it për, siç thuhet, gabime të qarta dhe refuzim për të rishikuar disa pamje, ndërsa ka kërkuar edhe përjashtimin e të gjithë ekipit të arbitrimit nga turneu pas përfundimit të hetimeve.

Në reagimin e saj, pretendon gjithashtu se ndaj kombëtares egjiptiane është kryer akt diskriminimi.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, akuzoi arbitrat për trajtim të padrejtë.

“Ndoshta donin ta mbanin kampionin e botës në garë. Ndoshta donin që Messi të vazhdonte rrugëtimin në turne”, deklaroi ai.

Ndërkohë edhe sulmuesi Mostafa Zico kritikoi ashpër arbitrimin.

“Arbitri ishte vërtet i padrejtë. Padrejtësia ishte e qartë. Ka pasur padrejtësi që nga fillimi i ndeshjes. Është e qartë se ky turne është i kurdisur”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, kontribuoi në rikthimin e ekipit të tij duke asistuar në golin e parë në minutën e 79-të dhe duke realizuar golin e barazimit katër minuta më vonë, ndërsa Argjentina siguroi fitoren 3:2 me gol në kohën shtesë.

Pas këtij triumfi, Argjentina do të përballet me Zvicrën në çerekfinale, në ndeshjen që do të zhvillohet në Kansas.

The post ​Egjipti kërkon përjashtimin e gjyqtarëve nga Kupa e Botës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: