Mbyllet pa rezultat konkret takimi i Albin Kurtit me kreun e PDK-së

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk ka prodhuar një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja. Pas bisedimeve, Hamza konfirmoi se PDK do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

“Bazuar në bisedat dhe diskutimet që kemi pasur, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë. Ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen e bisedojnë, që t’i japin vendit institucione”, deklaroi Hamza për gazetarët.

Nga ana tjetër, Kurti e cilësoi takimin si konstruktiv dhe të zhvilluar në frymën e vullnetit për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale, por pranoi se nuk pati ndonjë rezultat konkret.

“Momentualisht nuk mund të them se kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur që mund ta ndaj me ju”, tha Kurti.

Kreu i LVV-së theksoi se si lider i partisë fituese të zgjedhjeve, përgjegjësia e tij është formimi i Qeverisë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkoi një figurë konsensuale dhe jashtë skenës partiake.

“Ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është i asnjë partie politike, por një person me vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale dhe qytetare”, u shpreh Kurti.

Megjithatë, Hamza theksoi se LVV-ja duhet të gjejë partnerë për krijimin e institucioneve, pasi sipas tij, përgjegjësia kryesore i takon partisë së Kurtit.

“LVV-ja duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të saj, për t’i dhënë vendit institucione”, tha Hamza.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7.

Për formimin e Qeverisë kërkohen 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit nevojitet një konsensus më i gjerë politik.

Kurti pritet të zhvillojë takime edhe me partitë e tjera, përfshirë LDK-në, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje për presidentin mbetet pengesa kryesore për finalizimin e procesit institucional. Nëse brenda afateve kushtetuese nuk arrihet zgjedhja e presidentit, Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja.

 

The post Mbyllet pa rezultat konkret takimi i Albin Kurtit me kreun e PDK-së appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: