Berisha për deklaratën e ministres serbe: E dënoj me forcën më të madhe, qeveria heshti

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet këtë të enjte nga gazetarët në lidhje me deklaratat e ministres serbe, e cila pak ditë më parë u shpreh se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

Berisha tha se dënon me forcën më të madhe deklaratën e ministres serbe, ndërsa kritikoi qeverinë shqiptare për atë që ai e cilësoi si heshtje ndaj këtij qëndrimi.

“Deklarata e saj është dënuar me forcën më të madhe nga një deklaratë e Partisë Demokratike ditë më parë, e paraqitur nga zëdhënësja e partisë, zonja Floriana Garo. Ne kërkuam menjëherë shpalljen e saj non-grata dhe inicimin e një padie për mbështetje të gjenocidit dhe të spastrimit etnik nga një ministre e vendit që i ka kryer këto akte. Së dyti, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e turpshme, heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së një ministreje të Beogradit”, tha Berisha.

Më tej, kreu i PD-së u shpreh se për sa kohë ministrja serbe vijon të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, deklarata e saj përfaqëson, sipas tij, qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

“Për sa kohë ajo rri në atë kabinet, ajo ka shprehur mendimin e padronit të saj, Aleksandër Vuçiç. Se të mbash një monstër si ajo në kabinet, e cila dëshmon me gjakftohtësinë më të madhe keqardhjen se nuk u kompletua gjenocidi dhe spastrimi etnik në Kosovë sipas operacionit ‘Patkoi’, do të thotë të kesh vetë atë mendësi”, tha Berisha.

The post Berisha për deklaratën e ministres serbe: E dënoj me forcën më të madhe, qeveria heshti appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: