Egnatia ka siguruar një kualifikim historik në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League, pasi mposhti me rezultatin e thellë 6-1 kampionët e Moldavisë, Petrocub, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Arena Egnatia”.
Pas barazimit 1-1 në transfertë, kampionët e Shqipërisë zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer para tifozëve të tyre, duke dominuar takimin nga minuta e parë deri në të fundit dhe duke siguruar kalimin në fazën e ardhshme me rezultatin e përgjithshëm 7-2.
Egnatia kaloi në avantazh që në minutën e 2-të me Bitrin. Presioni i skuadrës së drejtuar nga Nevil Dede vijoi edhe më tej dhe në minutën e 30-të Albanese dyfishoi shifrat, ndërsa një autogol i Platica pak para përfundimit të pjesës së parë e çoi rezultatin në 3-0.
Në pjesën e dytë, kampionët e Shqipërisë nuk ulën ritmin dhe shënuan golin e katërt me Yago në minutën e 58-të. Petrocub ngushtoi përkohësisht diferencën në minutën e 63-të, por Egnatia reagoi menjëherë duke realizuar edhe dy gola të tjerë. Bakayoko shënoi golin e pestë në minutën e 84-t, ndërsa Gruda vulosi fitoren spektakolare 6-1 në minutat e fundit.
Me këtë sukses, Egnatia konfirmon rritjen e saj në arenën ndërkombëtare dhe siguron një vend në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League, duke dhuruar një tjetër mbrëmje të rëndësishme për futbollin shqiptar.
Në raundin e ardhshëm, kampionët e Shqipërisë do të përballen me skuadrën sllovene NK Celje, me synimin për të vijuar rrugëtimin në kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë.

The post Spektakël në Rrogozhinë, Egnatia mposht 6-1 Petrocubin dhe avancon në Champions League appeared first on Euronews Albania.
