Anastas Kostandini sjell “Qytetin e Dehur” në Galerinë e Arteve të Pogradecit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në Galerinë e Arteve të Pogradecit është çelur ekspozita personale e piktorit Anastas Kostandini, me titull “Qyteti i Dehur”. Cikli përfshin 50 punime në teknikën e pastelit, ku artisti sjell peizazhe urbane, kujtime dhe personazhe të jetës së përditshme, të frymëzuara nga qyteti i lindjes.

Shkrimtari Primo Shllaku e cilësoi ekspozitën si një dëshmi të pjekurisë krijuese të Anastas Kostandinit dhe një kontribut me vlerë për artin shqiptar.

Kompozitori Jani Papadhimitri, i cili jeton dhe krijon në Kanada, u shpreh se piktori ka ditur të ruajë identitetin e tij artistik ndër vite, ndërsa punimet e këtij cikli përcjellin emocione të forta dhe një ndjenjë të veçantë nostalgjie.

Vetë autori shpjegoi se titulli “Qyteti i Dehur” nuk lidhet me kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por me gjendjen shpirtërore, atmosferën dhe kujtesën që Pogradeci i ka ngjallur gjatë viteve.

Edhe shkrimtari Skënder Demolli vlerësoi punimet e ekspozuara, duke theksuar se ato ruajnë me ndjeshmëri kujtesën e Pogradecit dhe dëshmojnë një gjuhë artistike të konsoliduar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve të Pogradecit deri më 1 gusht.

The post Anastas Kostandini sjell “Qytetin e Dehur” në Galerinë e Arteve të Pogradecit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: