Egnatia barazon 3-3 me Celjen, gjithçka e hapur për sfidën e kthimit në Slloveni

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Egnatia ka barazuar 3-3 ndaj Celjes në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League, në një sfidë spektakolare dhe të luftuar të zhvilluar në “Egnatia Arena”.

Skuadra rrogozhinase, e mbështetur nga tifozët e shumtë në stadium, zhvilloi një paraqitje me shumë ritëm dhe raste për gol, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Slloveni.

Takimi nisi në mënyrën më të mirë për kampionët e Shqipërisë, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 7-të. Pas një goditjeje me kokë të Eneo Bitrit, topi u devijua nga një lojtar i Celjes dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Egnatias.

Vendasit zhvilluan një pjesë të parë mjaft të mirë dhe krijuan disa mundësi për të dyfishuar shifrat, por pa arritur të gjejnë golin e dytë. Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e Egnatias, Kvesiç riktheu baraspeshën për skuadrën sllovene.

Në pjesën e dytë, Egnatia kërkoi sërish golin e avantazhit, me Albanesen që iu afrua realizimit, por portieri i Celjes reagoi në mënyrë vendimtare. Në minutën e 54-t, skuadra sllovene përfitoi nga një moment i mirë dhe përmbysi rezultatin me golin e Kucys.

Reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm. Fernando realizoi një supergol, duke barazuar shifrat 2-2 dhe duke rikthyer skuadrën shqiptare në lojë. Rrogozhinasit morën kontrollin e sfidës dhe kërkuan golin e tretë, por në momentin më të mirë të tyre, Kvesiç realizoi golin e dytë personal, duke rikthyer Celjen në avantazh.

Megjithatë, Egnatia nuk u dorëzua dhe gjeti sërish forcën për të reaguar. I sapofuturi në lojë, Diabate, shënoi në minutën e 78-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-3.

Kualifikimi për në raundin e tretë të UEFA Champions League do të vendoset më 29 korrik në Slloveni, ku Egnatia do të kërkojë një rezultat pozitiv për të vijuar më tej aventurën europiane.

The post Egnatia barazon 3-3 me Celjen, gjithçka e hapur për sfidën e kthimit në Slloveni appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: