Fotografi që dokumentojnë jetën e Elbasanit gjatë shekullit XX janë ekspozuar në oborrin e Muzeut Etnografik, duke sjellë para publikut pamje nga rrugët, tregtia, traditat dhe përditshmëria e një qyteti që ka ndryshuar ndër dekada.
Për vizitorët, këto fotografi nuk janë vetëm dokumente historike, por edhe kujtime personale të lidhura me familjet dhe qytetin ku janë rritur.
“Bravo, komplimente që keni realizuar këto fotografi kaq të bukura. Unë vetë jam elbasanase, kam lindur dhe jam rritur në Elbasan. Këto fotografi më zgjuan shumë kujtime. I kam parë edhe te gjyshja dhe te mami im. Unë jam e vitit 1970 dhe prindërit e mi i kanë pasur këto fotografi. Shumë bukur, bravo që keni arritur të realizoni një ekspozitë të tillë”, thotë një vizitore.
Edhe brezat e rinj shfaqën interes për pamjet e së shkuarës, duke vlerësuar historitë që përcjellin fotografitë e qytetit.
“Më pëlqen shumë ekspozita e qytetit tim. Fotografitë janë shumë të bukura dhe më pëlqejnë historitë që përcjellin nga e kaluara”, thotë një fëmijë.
Mes fotografive spikasin pamje nga pazari i dikurshëm, rrugët karakteristike dhe jeta tregtare e Elbasanit, elementë që sipas vizitorëve duhet të ekspozohen më shpesh për të ruajtur kujtesën historike të qytetit.
“Vlerësoj punën e mirë që bën Muzeu i Elbasanit, duke ekspozuar fotografi të tilla, të cilat na rikthejnë në nostalgjinë e para 50–60 viteve. Pikërisht këtu shohim rrugën e vjetër që të çon drejt Markatës. Është një rrugë për të cilën qytetarët mbi 50–60 vjeç kanë shumë nostalgji. Pas krahëve të mi shfaqet tregtia me pakicë e qytetit të Elbasanit. Kjo praktikë duhet të zhvillohet më shpesh, duke ekspozuar fotografi të vjetra, pasi qytetarët nuk kanë mundësi t’i shohin ato nëpër shtëpitë e tyre. Një ekspozitë e tillë i ndihmon të rikujtojnë të kaluarën”, thotë një qytetar.
Sipas organizatorëve, ekspozita është pjesë e një cikli aktivitetesh që synojnë promovimin e trashëgimisë kulturore dhe njohjen e historisë së Elbasanit përmes materialeve arkivore.
“Kjo është një ekspozitë kushtuar Elbasanit të vjetër, traditës dhe zakoneve të qytetit. Ajo vjen në vazhdën e ciklit të ekspozitave që organizojmë gjatë sezonit veror në qytetin e Elbasanit”, thotë Klinton Kapaj, drejtor i Qendrës së Artit Elbasan.
Ekspozita “Elbasani në Shekullin XX” është pjesë e aktiviteteve që Muzeu Etnografik i Elbasanit do të zhvillojë gjatë sezonit veror, me fokus në promovimin e vlerave kulturore dhe historike të qytetit.


The post Ekspozita “Elbasani në Shekullin XX”, fotografitë që rikthejnë kujtesën e qytetit të vjetër appeared first on Euronews Albania.
