Kristjan Prenga rrëzon Joshuan, por britaniku e mbyll me nokaut në raundin e dytë (VIDEO)

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Anthony Joshua është rikthyer në ring me një fitore me nokaut ndaj boksierit shqiptar Kristjan Prenga, në duelin e zhvilluar në Jeddah Superdome, në Arabinë Saudite.

Ish-kampioni i dyfishtë i botës në peshat e rënda e mbylli sfidën në raundin e dytë, por përballja nisi në mënyrën më të papritur për britanikun.

Prenga zhvilloi një raund të parë të jashtëzakonshëm, duke e vendosur disa herë në vështirësi Joshuan dhe duke e rrëzuar atë në tapet. Sipas raportimeve, shqiptari e hodhi dy herë në kanavacë kundërshtarin, përfshirë një goditje të fortë që erdhi vetëm 20 sekonda pas nisjes së duelit.

Megjithatë, Joshua u rikuperua mes raundeve dhe në raundin e dytë reagoi fuqishëm. Britaniku e goditi disa herë Prengën, e çoi në cep të ringut dhe më pas e mbylli përballjen me një nokaut të fuqishëm me dorën e djathtë.

Dueli ishte parashikuar të zhvillohej për 12 raunde, por zgjati vetëm pak minuta. Për Kristjan Prengën kjo ishte sfida më e madhe e karrierës, ndërsa Joshua e konsideron si një rikthim të rëndësishëm pas një periudhe shtatëmujore larg ringut.

Kjo ishte ndeshja e parë profesionale e Joshuas pas përballjes me Jake Paul në dhjetor të vitit 2025. Britaniku tashmë synon një tjetër përballje të madhe, atë ndaj ish-kampionit të botës Tyson Fury, e planifikuar për muajin nëntor.

Sipas raportimeve, fondi total i shpërblimeve për këtë duel ishte rreth 5 milionë paund, ku Joshua përfitoi afërsisht 4 milionë paund, ndërsa pjesa tjetër shkoi për boksierin shqiptar.

Pavarësisht humbjes, Prenga fitoi vëmendje të madhe me paraqitjen e tij, veçanërisht pas fillimit spektakolar ku vuri në vështirësi një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror.

The post Kristjan Prenga rrëzon Joshuan, por britaniku e mbyll me nokaut në raundin e dytë (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: